I nderuar Drejtues i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Ministria e Zhvillimit Urban paraqet sot, për miratim, ndryshimet në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.

Ky është një nga ligjet më të rëndësishëm për mirëmenaxhimin e territorit, rishikimi i të cilit vjen si një domosdoshmëri për t’i dhënë zgjidhje problematikave që ne hasim nga praktika e përditshme.

Puna për rishikimin e këtij ligji nisi si rezultat i sugjerimeve dhe kërkesave të paraqitura nga bashkitë dhe Shoqata për Autonominë Vendore.

Dua të theksoj se, në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit është bërë një punë e madhe që, ka nisur me forcimin e mekanizmave kontrollues, hartimin dhe miratimin e instrumenteve planifikues në nivel kombëtar dhe vendor, në thjeshtimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe funksionimit të strukturave përgjegjëse të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

Ndryshimet e propozuara në këtë ligj kanë për qëllim:

Ndarjen e bazës së të dhënave të planifikimit të territorit nga baza të dhënave e lejeve të ndërtimit:

Në ligjin në fuqi, Regjistri i Integruar i Territorit është në funksion të proceseve planifikuese dhe proceseve të zhvillimit (ose lejedhënies) dhe përmban të dhëna si për planet e miratuara ashtu edhe për lejet e ndërtimit të lëshuara nga bashkitë. Prej një viti tashmë, po punohet për përditësimin e Regjistrit të Integruar të Territorit dhe transformimin e tij në dy platforma të veçanta, njëra në shërbim të procesit të planifikimit të territorit dhe tjetra në funksion të aplikimeve dhe pajisjes me leje ndërtimi. Në kushtet kur sistemi elektronik e-lejet dhe platforma e planifikimit të territorit funksionojnë të pavarura, propozohet që secila databazë të ketë rregullimin e saj ligjor të veçantë. Ky ndryshim, nga njëra anë lehtëson dhe qartëson procedurën e miratimit të dokumenteve të planifikimit dhe nga ana tjetër lehtëson procedurat për leje zhvillimi apo ndërtimi për investitorët dhe qytetarët.

Së dyti, saktësimin e ndarjes së kompetencave të organeve të pushtetit vendor sa i përket miratimit të dokumenteve të planifikimit vendor:

Në konceptin aktual të ligjit, Plani i Detajuar Vendor (PDV) është një dokument planifikimi, që miratohet nga Kryetari i Bashkisë dhe nxirret në zbatim të përcaktimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor, për një zonë të caktuar të territorit, me kufij të përcaktuar në PPV.  Pra, është Plani i Përgjithshëm Vendor ai që përcakton kushtet zhvillimore për zonën dhe ky plan miratohet nga Këshilli Bashkiak, si në momentin e nismës ashtu edhe në momentin e miratimit të dokumentit final të PPV-së.

Në mënyrën se si zbatohen konkretisht këto dispozita, Këshilli Bashkiak aprovon  ndërmarrjen e nismës për hartimin e një PDV-je, si dhe jep konformitet pas miratimit të saj nga kryetari. Kjo mënyrë të vepruari dyfishon afatet dhe procedurat e miratimit të PDV-së, që si rezultat kthehet nga një instrument zbatues i planit, në një shkak për bllokimin e zbatimit të tij.

Shoqata e Bashkive, si përfaqësuese e bashkive që janë anëtare të saj, ka sjellë në vëmendjen e Ministrisë vështirësitë që hasin bashkitë në tejzgjatjen e panevojshme, të afateve të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV) të territorit. Kjo procedurë vonon përgjigjen në kohë ndaj qytetarëve dhe frenon zhvillimin e qëndrueshëm të territorit bazuar në kërkesat për investime nga qytetarë dhe sipërmarrje private.

Nisur nga sa më lart, është propozuar rishikimi i dispozitave të ligjit, që disiplinojnë kompetencat e Këshillave Bashkiake, në kuadër të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV), në mënyrë të tillë që: 

(i) Nisma për hartimin e PDV-së të mos ketë nevojë për miratim në Këshillin Bashkiak: kjo pasi, nisma për hartimin e PDV-së mund të ndërmerret nga çdo zhvillues privat që plotëson kushtet sipas ligjit, si dhe nga bashkia, në mënyrë automatike, sipas interesit publik dhe prioriteteve të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor.

(ii) Bashkia të mos ketë më detyrimin ligjor të paraqesë Planin e Detajuar Vendor, për miratim të dyfishtë tek Këshilli Bashkiak, duke qenë i mjaftueshëm miratimi nga Kryetari i Bashkisë.  Kjo është në pëputhje me nenin 13 të ligjit, që i njeh kryetarit të bashkisë autoritetin e miratimit të PDV-së.

Sa i përket rolit monitorues, Këshilli Bashkiak do të vazhdojë të ketë rol monitorues të ecurisë së hartimit të PDV, sikurse e ka kryer deri më sot këtë funksion, duke kërkuar PDV-të dhe dokumentacionin shoqërues nga Drejtoria Perkatese, pa nevojën duplikimit të procedurave të miratimit / konformitetit te PDV-ve.

Në kontekstin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit më lejoni t’ju informoj se për herë të parë përgjatë vitit 2016 ofruam mbështetje financiare dhe teknike për 26 bashki Cërrik, Dibër, Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Himarë, Kavajë, Konispol, Korçë, Krujë, Kurbin, Kukës, Lezhë, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Poliçan, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë dhe Vorë për hartimin e planeve vendore.

Deri më tani janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit planet vendore për 11 bashki.

Ndërkohë brenda këtij muaji kalojnë për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit planet vendore për bashkitë Tiranë dhe Përrenjas. Në lidhje me 13 bashkitë e tjera: Lezhë, Pogradec, Dibër, Shkodër, Shijak, Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol pritet që të miratojnë planet e tyre vendore në Këshillin Bashkiak brenda muajit mars dhe brenda prillit të përfundojë edhe miratimi i tyre në KKT. 

Me mbështetjen e donatorëve përgjatë vitit 2016 e kemi mundësuar këtë proces edhe në 10 bashki të tjera të vendit përkatësisht:

Me mbështetjen e USAID nëpërmjet Programit Për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore bashkitë Elbasan, Lushnjë, Fier, Kuçovë dhe Berat, jo vetëm hartuan planet e tyre vendore por dhe ishin 5 bashkitë e para që i miratuan në Këshillin Kombëtar të Territorit në dhjetor të vitit 2016.

Ndërsa në bashkitë Tropojë, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Mat dhe Klos procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore po bëhet i mundur falë mbështetjes së Programit, të Qeverisë Zvicerane, për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal.

Për vitin 2017, me buxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të asistohen edhe bashkitë Përmet, Belsh, Këlcyrë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Kolonjë. Kështu, në fund të këtij viti 43 nga 61 bashkitë në vend do të kenë të hartuara dhe të miratuara Planet e Përgjithshme Vendore.

Gjithashtu, Ministria e Zhvillimit Urban ka përgatitur një Udhëzim për mënyrën dhe procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore që po miratohen, për çështje që kërkojnë bashkërendim me institucionet qendrore. Udhëzimi fokusohet, në mënyrë të veçantë, në trajtimin e procedurave që lidhen me zhvillimet urbane të parashikuara nga planet në tokë bujqësore dhe zonat e rëndësisë kombëtare. Ky udhëzim do të lehtësojë punën e bashkive dhe do të forcojë bashkërendimin institucional në nivel qendror dhe vendor për zbatimin e planeve të miratuara, duke bërë sa më të ndjeshëm impaktin e planifikimit hapësinor në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ndryshimi tjetër në ligjin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit është mundësia e rishikimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, për ta përshtatur me ndryshimet e legjislacionit në fuqi.

Nisur nga vetë platforma e Planit të Përgjithshëm Kombëtar si përçues i një vizion strategjik afatgjatë, i hartuar për një periudhë 15-vjeçare mbështetur në një bazë të gjerë dokumentesh strategjikë dhe kuadri ligjor propozojmë mundësinë e rishikimit të tij në vazhdimësi. Ndaj dhe mundësia për të rishikuar Planin e Përgjithshëm Kombëtar çdo pesë vjet synon përditësimin në vazhdimësi të këtij dokumenti strategjik me qëllim reflektimin në të, të ndryshimeve që mund të ndodhin në kontekstin ekonomik dhe social të vendit, por dhe në harmonizimin e tij me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.  

Në këtë mënyrë brenda një mandati me vullnetin e kësaj qeverie për të garantuar një zhvillim të integruar të territorit të vendit dhe siguruar qëndrueshmëri të investimeve dhe rritjes ekonomike kemi miratuar 3 plane kombëtare që janë: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Në këtë mënyrë, ne i kemi  hapur rrugën investimeve të qëndrueshme ku përfituesit kryesor janë vetëm qytetarët.

Të nderuar deputetë,

Ne sot jemi përballë një situate ku çdo ndërtim duhet të jetë i menduar mirë dhe në përputhje me planet kombëtare dhe vendore, instrumente të rëndësishme që garantojnë dhe përcaktojnë zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të territorit në përgjithësi dhe qyteteve tona në veçanti.

Nisma e ndërmarrë për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit erdhi si një hallkë plotësuese dhe e domosdoshme mbas nismave historike të ndërmarra në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tokës.

Që prej shtatorit të vitit të shkuar aplikimi për leje ndërtimi tashmë bëhet vetëm nëpërmjet sistemit elektronik e- lejet pjesë e platformës e – Albania.

Raporti Doing Business 2017 i Bankës Botërore e cilësoi reformën e zbatuar në fushën e lejeve të ndërtimit, si një nga rezultatet më pozitive në kuadër të transparencës, përshpejtimit dhe thjeshtimit të procesit të leje dhënies.

Kjo reformë e realizuar falë punës dhe përkushtimit të kësaj qeverie e mbështetur me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare mundësoi që vendi të përmirësonte renditjen në këtë indikator me 83 vende.

Që prej Shtatorit të vitit të kaluar e deri më sot numërohen 2230 aplikime, mes të cilave 565 leje të miratuara, 467 aplikime të refuzuara, dhe pjesa tjetër janë në fazë shqyrtimi nga bashkitë.

Për të vijuar në rrugën e përmirësimit dhe thjeshtimit të legjislacionit në fushën e ndërtimit, një tjetër element i rëndësishëm që ne propozojmë në këtë projektligj janë dhe ndryshimet në fushën e lejeve të ndërtimit nga të cilat do të veçoja:

  • saktësimin në ligj të taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila llogaritet sipas ligjit për sistemin e taksave vendore, por që nuk zbatohet për rikonstruksionin e godinave. Ajo çfarë ne kemi vënë re është se në ligjin për sistemin e taksave vendore parashikohet vetëm një mënyrë e llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila për më tepër është e ndryshme nga mënyra e llogaritjes së po të njëjtës taksë në ligjin aktual. Për të eliminuar këtë mospërputhje kemi propozuar rakordimin mes të dy ligjeve. 
  • heqjen e detyrimit të pajisjes me certifikatë përdorimi për punimet e kryera me deklaratë paraprake punimesh; bëhet fjalë për punime të brendshme shtëpie, me ndikim të ulët, që nuk nevojitet të pajisen  me certifikatë përdorimi / leje shfrytëzimi.
  • përshtatjen e terminologjisë së përdorur në këtë ligj me atë të parashikuar nga legjislacioni për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.
  • Dhe së fundmi përcaktimin e detyrimit ligjor që aplikimi për leje ndërtimi të kryhet vetëm përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit.

Në fund të fjalës time me lejoni t’iu siguroj se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit vetëm qartësojnë dhe thjeshtojnë procedurat për qytetarët dhe investitorët.

Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit;

Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilët me kontributin e tyre plotësuan dhe përmirësuan cilësisht këtë projekt-ligj.

Prandaj, ju ftoj ta votoni bashkërisht!

Ju faleminderit.