Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në bashkëpunim me Qeverinë Zviceriane, nëpërmjet Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP) organizuan më datë 13 Dhjetor, forumin mbi Planifkimin e Territorit Vendor. Në forum morën pjesë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri, Ambasadori i Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, z. Christoph Graf, përfaqësues të organizatave të huaja në vend, kryetarë të bashkive, drejtues të institucioneve qendrore dhe punonjës të administratës vendore e qendrore, profesionistë të fushës së planifikimit, si edhe përfaqësues të akademisë.

Forumi u zhvillua si një nevojë për të shqyrtuar ecurinë e procesit të planifikimit të territorit në nivel vendor, rezultatet e para që ka prodhuar dhe veçanërisht rolin e tij në konsolidimin e reformës administrative territoriale.

Fillimi i vitit 2016 shënoi edhe fillimin e procesit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, për të mbuluar territorin e Shqipërisë me dokumente planifikimi të qëndrueshme, sipas ndarjes së re Administrative-Territoriale. Deri në këtë moment kanë nisur procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore 44 bashki, nga ku 36 prej tyre e kanë finalizuar procesin me miratim. Në vitin 2018 pritet financimi dhe sigurimi I asistencës teknike për 10 bashki të tjera.

Për herë të parë në historinë e shtetit modern shqiptar, planifikimi i  territorit ka marrë një vëmendje të këtij niveli, si nga pikëpamja e  angazhimit të pushtetit qendror për  mbështetje financiare, ashtu edhe nga ajo e pushtetit vendor për të hartuar dokumentin e drejtimit të zhvillimit të territorit në administrim lokal. Për herë të parë ne arrijmë nivele të tilla të mbulimit të territorit të Shqipërisë me dokumente planifikimi dhe një shkallë të tillë njohje të territorit.

Qeveria Shqiptare është angazhuar në një numër nismash, të cilat synojnë përcaktimin e një kuadri të qartë rregullator dhe zbatues në drejtim të planifikimit të territorit dhe zhvillimeve që ndodhin në të. Në mënyrë të natyrshme bashkitë kanë potenciale të shtuara për zhvillim, por nga ana tjetër edhe një numër sfidash. Kohezioni i brendshëm i bashkive të reja doli si një nga çështjet që kërkonin zgjidhje të shpejtë. Në përgjigje, qeveria shqiptare shpalli mbështetjen për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 43 Bashki (10 nën financimin e PLGP/USAID dhe dldp/SDC). I gjithë ky proces është ndjekur nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, theksoi se planifikimi është gjëja më e vështirë, por njëkohësisht edhe më e rëndësishme, si edhe siguroi kryetarët e bashkive se do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për përfundimin e planeve vendore, duke i bërë një thirrje donatorëve për mbështetje financiare në mënyrë që e gjithë Shqipëria të jetë e planifikuar.

Diskutimi në panel u zhvillua edhe në nivel teknik duke u bërë një përmbledhje e procesit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore si edhe përmbajtjes së tyre. Një proces i rëndësishëm, i cili vjen fill pas hartimit të PPV-vë, është zbatimi i tyre nëpërmjet projekteve prioritare dhe pilote të propozuara në secilin prej PPV-ve.  PPV-të e përfunduara të 36 bashkive kanë evidentuar nevojën për rreth 3,350 projekte prioritare dhe pilot në planet e tyre të veprimit, prej të cilave afërsisht 17 % kanë karakter rajonal. Analiza e këtyre projekteve nxjerr në pah nevojat kryesore që ka secila bashki  për zhvillim si edhe nevojat  për investime, të cilat janë të përqëndruara kryesisht në infrastrukturë transporti, shërbime publike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Puna vijon dhe në vitin 2018, AKPT do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve planifikuese në vend, për hulimtimin e mekanizmave për zbatimin e PPV-ve, si edhe finalizimin e platformës së monitorimit për zbatimin e dokumenteve të planifikimit dhe zhvillimeve në territor.