Takimi i Parë i FBPQ-së për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për rajonin e Alpeve

E mërkurë, 10 May 2017

Referuar VKM-së Nr. 671 datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, Neni 2 përcakton se:

“Forumi për bashkërendimin e planifikimit” është një mekanizëm për të nxitur diskutimet strategjike të përfaqësuesve të autoritetit përgjegjës për hartimin e dokumentit të planifikimit, pushtetit vendor, pushtetit qendror dhe ekspertëve, për të arritur koordinimin e çështjeve të planifikimit për një zonë, njësi vendore, rajon apo territorin në përgjithësi. Forumi nuk është entitet vendimmarrës, miratues apo zgjidhës i konflikteve.

Me datë 10 Maj 2017, në mjediset e Tirana International Hotel, u zhvillua takimi i Parë i Forumit për Bashkërendimin e Planifikimit në nivel Qendror (FBPQ)  për Planin Kombëtar Sektorial (PKS) në fushën e turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare.

 

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga AKPT, IP3 (konsulenti), Fondi Shqiptar i Zhvillimit (porositësi), Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (përfituesi), Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Urban, AdZM Shkodër, AdZM Kukës, Agjencia Kombëtare e Turizmit, projekti DLDP, bashkia Tropojë, bashkia Vau Dejës, bashkia Fushë-Arrëz, bashkia Pukë, Qarku Shkodër, studiot konsulente të hartimit të PPV-së për bashkitë Tropojë, Malësi e Madhe dhe Vau Dejës, Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Qendra Alpe, GIZ, etj.

Prezantimet e konsulentit hartues u fokusuan në Analizën e kryer dhe në Draft Strategjinë Territoriale, duke u përqëndruar kryesisht në këto pika:

  • Gjendja ekzistuese mbi demografinë, punësimin, ekonominë, turizmin dhe kërkesat turistike në rajonin e Alpeve;
  • Tendencat turistike në Alpet Shqiptare;
  • Kapacitetet kryesore të akomodimit dhe shërbimet turistike;
  • Avantazhet dhe elementët e disfavorshëm të zonës;
  • Parashikimet e një turizmi 365 ditor;
  • Trashëgimia materiale dhe jomateriale e zonës;
  • 4 skenarë të zhvillimit të rajonit: 1_Sipas tendencave aktuale, 2_Turizëm masiv, 3_Mbrojtje maksimale dhe 4_Zhvillimi optimal;
  • Konceptet e zhvillimit sipas klasterave;

 

Forumi vijoi në formatin e një workshopi, ku të pranishmëve iu krijua mundësia të sugjeronin, komentonin mbi hartat: Gjendja ekzistuese e Alpeve dhe Vizioni Alpe 2031.

Sugjerimet dhe komentet u përqëndruan në këto pika kryesore:

  • Menaxhimi i qendrueshëm i Agro-turizmit;
  • Marrja në studim e konsideratë e strategjisë së Malit të Zi për pjesën e Alpeve;
  • Aksesi në zonë, mënyra si kryhet (Guida dhe transporti), duke u parë mundësia e aksesit jo në mënyrë masive me mjete të transportit masiv (autobuseve);
  • Llojet e turizmit, përmbajtja e planit të turizmit, ku të përcaktohet tregu-destinacioni-konkurrenca;
  • Diskutim mbi projekte potenciale në segmentin e Vaut të Dejës, si në itinerar rrugor, ashtu edhe ujor;
  • Të vendoset një model për rrugët në zonat e mbrojtura përsa i përket peizazhit, ngjyrave, materialit;
  • Turizmi “Shpellar”, “Eposi i Kreshnikëve” dhe përdorimi i Folklorit si produkt turistik.

 

Forumi u mbyll me një përmbledhje të takimit dhe çështjeve, që dolën si rezultat i diskutimeve, mbi bashkërendimin e mëtejshëm të institucioneve për informacionet e nevojshme në funksion të Planit Kombëtar të Alpeve.