Njoftim për organizimin e Forumit të Bashkërendimit të Planifikimit në nivel Vendor për 7 bashki

E mërkurë, 8 November 2017

Agjencia Kombëtare e Planifkimit të Territorit më datë 14 Nëntor 2017, do të organizojë takimin e Forumit për Bashkërendimin e Planifikimit në nivel Vendor (FBPV)  për Planin e Përgjithshëm Vendor për bashkitë: Vau i Dejës, Klos, Pukë, Mirditë, Gramsh, Belsh dhe Dropull.

Hartimi i PPV-ve për bashkitë Vau i Dejës dhe Klos janë financuar nga Qeveria Zviceriane nëpërmjet Programit për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (DLDP). Takimi i këtij lloji për këto bashki organizohet për herë të dytë. Të dyja bashkitë janë në procesin e finalizimit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, në fazën e fundit të dokumentit, atë të Planit të Zhvillimit dhe Rregullores së Zbatimit të Planit.

Hartimi i PPV-ve Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Belsh po financohet nga qeveria shqiptare dhe një takim i tillë organizohet për herë të parë për planet e tyre vendore. Kompanitë konsulente që punojnë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore të bashkive do të prezantojnë vizionet për drejtimet e zhvillimit të bashkive respektive.

Hartimi i PPV-së së bashkisë Dropull po mbështetet teknikisht nga Universiteti Polis dhe ky është gjithashtu takimi i parë prezantues i planit.

Roli i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit në këtë proces është ndjekja, monitorimi dhe koordinimi i të gjithë palëve të përfshira, si edhe kontrolli teknik i materialeve në proces hartimi.

Takimi i FBPV-së organizohet nga Agjencia Kombëtare e Planifkimit të Territorit për të mbledhur institucione të nivelit qendror e vendor dhe organizata jo-fitimprurëse, sipas rastit, në një tryezë diskutimi, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërveprim, për dhënie të komenteve e sugjerimeve mbi planet që do të prezantohen.

Forumi nuk është entitet vendimmarrës, miratues apo zgjidhës i konflikteve. Forumi është një mekanizëm që synon të nxisë diskutimet strategjike mes anëtarëve të tij, të cilët përfaqësojnë politikat e disa institucioneve në nivele të ndryshme, për të arritur koordinimin e çështjeve të planifikimit.