Dëgjesë Publike mbi Planin e Zhvillimit dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor të PPV-së, Bashkia Klos

E hënë, 6 November 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka marrë pjesë në dëgjesën e pestë publike të organizuar nga bashkia Klos, më datë 03.11.2017, mbi Planin e Zhvillimit dhe dokumentin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për bashkinë.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj. Të pranishëm ishin rreth 45 persona.

Në dëgjesë u prezantua në mënyrë të përmbledhur konceptet e vizionit të planit, duke u ndalur në këto pika:

 

 

  • Propozimet e bëra duke shpjeguar hap pas hapi Vizionin për zhvillimin e bashkisë Klos;
  • Përcaktimin e objektivave strategjike sipas kategorive;
  • Përcaktimi i projekteve strategjike;
  • Prezantimi i VSM-së.

Pas përfundimit të prezantimit u zhvillua dhe diskutimi mbi materialin e prezantuar. Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  • Vendndodhjen e impiantit të propozuar të depurimit të ujrave të zeza, koston e ndërtimit të tij dhe ndikimin që mund të ketë ky impiant në faunën e territorit;
  • Gjurmën e propozuar të hekurudhës, e cila nuk duhet të ndjekë gjurmën e vjetër, pasi kalon në qytet;
  • Politikat mbi pyllëzimin, mbrojtjen nga erozioni dhe mbi menaxhimin e mbetjeve;
  • Propozimet për zhvillimin e bujqësisë deri në 2030;
  • Liqenet e Balgjajve dhe futja e tyre në hartat e turizmit;
  • Vendndodhjen e stadiumit të propozuar, e cila nuk është e përshtatshme sepse aktualisht ajo hapësirë përdoret si fushë sporti e hapur.

Në fund të takimit fjalën e morri eksperti mjedisor, i cili duke falenderuar pjesëmarrësit për kontributin e dhënë i ftoi ata për diskutime më të detajuara pas takimit.