Dëgjesë Publike mbi Analizën Territoriale të PPV-së, Bashkia Përmet

E mërkurë, 8 November 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka marrë pjesë në dëgjesën e dytë publike të organizuar nga bashkia Përmet, më datë 07.11.2017, mbi Analizën Territoriale të Bashkisë.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin Ministria e Kulturës, Znj. Kumbaro, përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj.

Në dëgjesë u prezantua në mënyrë të përmbledhur analiza territoriale e bashkisë, duke u ndalur në këto pika:

 

 

 

  • Analiza demografike;
  • Analiza e infrastrukturave;
  • Analiza e shërbimeve publike (arsim-shëndetësi);
  • Problematikat mjedisore;
  • Elementët e fortë territorialë;
  • Tipologjitë hapësinore;
  • Zhvillimi ekonomik, turistik dhe agrokulturor. Evidentimi i fshatrave më arkitekturë të spikatur dhe mundësi të thithjes së flukseve turistike si: Buali, Leusa, Lipa e vjetër, Zhepa, Strëmbeci, Alipostivani, Ogdunani, Delvina, Bënja, etj;
  • Rekomandimet që vijnë nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit.

Më pas prezantimi u orientua në paraqitjen e tre skenarëve të mundëshëm të zhvillimit strategjik:

  • Skenari I: vijimi në trendin aktual të zhvillimit pa ndërhyrje në territor dhe në mekanizmat social dhe ekonomik të bashkisë;
  • Skenari II: Zhvillimi i sektorit bujqësor, i cili do të mbështetej në: zhvillimin e vreshtarisë përgjatë luginës së Vjosës, mbledhjen e bimëve eterovajtore në territoret malore të bashkisë dhe në fuqizimin e pemtarisë.
  • Skenari III: fuqizimi i turizmit nëpërmjet fuqizimit të fshatrave me arkitekturë të spikatur, aty ku karakteri dhe jetesa e banorëve ka mbetur e pandryshuar dhe mund të kthehet në nje produkt turistik.

Pas përfundimit të prezantimit u zhvillua dhe diskutimi mbi materialin e prezantuar. Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  • Ministria Kumbaro theksoi se zona e Këlcyrës dhe Përmetit kanë qënë jashtë vëmendjes dhe strategjive të zhvillimit edhe pse potenciali që kjo zonë ka është tepër i madh;
  • Eksperti i zhvillimit rural i studios konsulente theksoi fuqinë prodhuese të kësaj treve: 10% e strukturës bujqësore e përbën vreshtaria dhe pemëtaria;
  • Nevoja për nxjerrjen në pah dhe evidentimin e vlerave të krahinës së Frashërit si një zonë me histori në aspektin kulturor dhe atë fetar.
  • Fshatrat dhe qyteti vuajnë nga mungesa e ndriçimit publik dhe ndotja;
  • Territori ka potencial për shfrytëzimin e energjisë së diellit në prodhimin e energjisë eletrike, pasi ka mbi 220 ditë më diell në vit.
  • Problem i madh për qytetin mbetet menaxhimi i ujrave që vijnë  nga mali i Dhëmbelit dhe shkaktojnë përmbytje nëpërmjet Përroit të Bardhë;
  • Kryetari i bashkisë Z.Shupuli theksoi katër prioritetet e bashkisë: 
  1. Rruga nacionale Përmet-Tre urat-Ersekë;
  2. Rruga nacionale Përmet-Frashër;
  3. Sistemimi i ujrave të zeza;
  4. Menaxhimi i mbetjeve urbane.

Në fund të diskutimit u sqarua se procesi i punës do të vijojë edhe me takime të tjera, jo vetëm me grupin e punës së bashkisë, por edhe me grupe më të vogla interesi në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Përmet, gjatë vizitave në terren.