Dëgjesë Publike mbi Analizën Territoriale të PPV-së, Bashkia Kolonjë

E enjte, 9 November 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka marrë pjesë në dëgjesën e dytë publike të organizuar nga bashkia Kolonjë, më datë 08.11.2017, mbi Analizën Territoriale të Bashkisë.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj. Të pranishëm në sallë ishin rreth 50 persona.

Në dëgjesë u prezantua në mënyrë të përmbledhur analiza territoriale e bashkisë, duke u ndalur në këto pika:

 

 

 

  • Analiza demografike;
  • Analiza e infrastrukturave;
  • Analiza e shërbimeve publike (arsim-shëndetësi);
  • Problematikat mjedisore;
  • Elementët e fortë territorialë;
  • Tipologjitë hapësinore;
  • Zhvillimi ekonomik, turistik dhe agrokulturor (fshatra me potencial arkitektonik turistik: Cercka, Barmashi, Selenica e Pishës, Qesaraka);
  • Rekomandimet që vijnë nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit.

Më pas prezantimi u orientua në paraqitjen e tre skenarëve të mundëshëm të zhvillimit strategjik:

  • Skenari I: vijimi në trendin aktual të zhvillimit pa ndërhyrje në territor dhe në mekanizmat social dhe ekonomik të bashkisë;
  • Skenari II: Vlerësimi i territoreve malore me potenciale për zhvillimin e blegtorisë bazuar në kullotat malore.
  • Skenari III: fuqizimi i turizmit nëpërmjet fuqizimit të fshatrave me arkitekturë të spikatur, aty ku karakteri dhe jetesa e banorëve ka mbetur e pandryshuar dhe mund të kthehet në nje produkt turistik.

Pas përfundimit të prezantimit u zhvillua dhe diskutimi mbi materialin e prezantuar. Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  • Shpopullimi i fshatrave dhe i qyteteve të Ersekës dhe Leskovikut është një problem shumë i madhë për bashkinë. Është larguar popullsia me moshë më të re dhe më vitale;
  • Jeta sociale në qendrat e banuara të bashkisë është në minimumet e veta. Aktivitetet sociale mungojnë plotësisht;
  • Kthimi i historikut të trevës së Kolonjës në një produkt turistik, në një aset që mund të marketohet;
  • Marrëdhëniet historike tregtare të Kolonjës  me shtetin grek kanë pësuar rënie të ndjeshme;
  • Nevoja për lidhjen e bashkisë me infrastrukturë rrugore të përmirësuar me bashkitë Përmet, Korçë dhe Skrapar;
  • Problematikë e madhe është mungesa e skemave të menaxhimit të ujit (furnizim, kanalizim, vaditje);
  • Produktet/elementë të veçantë të natyrës dhe pellgut të Gramozit: Halori i Robullit, dhija e egër, sanxa, aguliçja, molla e egër, etj. 

Në fund të diskutimit u sqarua se procesi i punës do të vijojë edhe me takime të tjera, jo vetëm me grupin e punës së bashkisë, por edhe me grupe më të vogla interesi në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Kolonjë, gjatë vizitave në terren.