Dëgjesë Publike mbi Analizën Territoriale të PPV-së, Bashkia Këlcyrë

E mërkurë, 8 November 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka marrë pjesë në dëgjesën e dytë publike të organizuar nga bashkia Këlcyrë, më datë 07.11.2017, mbi Analizën Territoriale të Bashkisë.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin Ministria e Kulturës, Znj. Kumbaro, përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj. Të pranishëm në sallë ishin rreth 65 persona.

Në dëgjesë u prezantua në mënyrë të përmbledhur analiza territoriale e bashkisë, duke u ndalur në këto pika:

 

 

  • Analiza demografike;
  • Analiza e infrastrukturave;
  • Analiza e shërbimeve publike (arsim-shëndetësi);
  • Problematikat mjedisore;
  • Elementët e fortë territorialë;
  • Tipologjitë hapësinore;
  • Zhvillimi ekonomik, turistik dhe agrokulturor. Evidentimi i krahinës së Dishnicës si një zonë me potenciale të paeksploruara në fushën e agroturizmit;
  • Rekomandimet që vijnë nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit.

Më pas prezantimi u orientua në paraqitjen e tre skenarëve të mundëshëm të zhvillimit strategjik:

  • Skenari I: vijimi në trendin aktual të zhvillimit pa ndërhyrje në territor dhe në mekanizmat social dhe ekonomik të bashkisë;
  • Skenari II: Zhvillimi i sektorit bujqësor, i cili do të mbështetej në: zhvillimin e vreshtarisë përgjatë luginës së Vjosës, mbledhjen e bimëve eterovajtore në territoret malore të bashkisë dhe në fuqizimin e pemtarisë.
  • Skenari III: fuqizimi i turizmit nëpërmjet fuqizimit të fshatrave me arkitekturë të spikatur, aty ku karakteri dhe jetesa e banorëve ka mbetur e pandryshuar dhe mund të kthehet në nje produkt turistik.

Pas përfundimit të prezantimit u zhvillua dhe diskutimi mbi materialin e prezantuar. Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  • Ministria Kumbaro theksoi se zona e Këlcyrës dhe Përmetit kanë qënë jashtë vëmendjes dhe strategjive të zhvillimit edhe pse potenciali që kjo zonë ka është tepër i madh;
  • Humbja e popullsisë nga fshatrat dhe nga qyteti i Këlcyrës, ardhur si pasojë e humbjes së shërbimeve bazë si arsimi, shëndetësia, ujësjellësi, etj;
  • Lidhjet historike që zona e Këlcyrës i ka pasur me zonat e Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës me të cilat kanë qenë rrugë tregtare;
  • Nevoja e madhe e kësaj zone për ujë të pijshëm dhe sidomos për nevojat e bujqësisë dhe blegtorisë;
  • Bashkia ka nevojë për një treg të organizuar të produkteve të veta bujqësore dhe blegtorale;
  • Eksperti i konsulentit për zhvillimin rural theksoi se prodhimet e kësaj zona janë sasiore dhe cilësore dhe mund të kthehen në rritje ekonomike;
  • Rritja e investimeve në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë mund të mbështeten nga iniciativa e qeverisë shqiptare për ngritjen e Bankës Kombëtare Agrare.

 Në fund të diskutimit u sqarua se procesi i punës do të vijojë edhe me takime të tjera, jo vetëm me grupin e punës së bashkisë, por edhe me grupe më të vogla interesi në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Këlcyrë, gjatë vizitave në terren.