Atelier Albania, 3 vjet në aksion

E hënë, 20 February 2017

“...me çeljen e dyerve ndaj një qasje të re, vendosim një gur të qëndrueshëm themeli në një proces që do të na japë me siguri, shembuj transformues jo vetëm aty ku këto shembuj do të realizohen, por për të krijuar pastaj, atë efektin zinxhir të domosdoshëm, që vjen nga një ndryshim kulturor, në ndërtimin e gjithë procesit të ndërhyrjes në territor, sepse në radhën më të parë na duhet të kuptojmë se këtu bëhet fjalë për të realizuar një ndryshim kulturor, për të ndërtuar një kulturë të re të sjelljes sonë me zhvillimin dhe territorin që përdorim për zhvillim”.

ATELIER ALBANIA, u prezantua publikisht 3 vjet më parë, dhe u krijua “falë ndihmës shumë të çmuar të Qeverisë Holandeze dhe personalisht të ish-ambasadorit, i cili në traditën më të mirë të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka qenë qysh në sekondën e parë i disponueshëm për të dhënë  mbështetjen e domosdoshme që kjo atelie të lindë si pikë takimi”.

"Konkluzioni i parë dhe më i thjeshti është se na duhet të ecim me vendosmëri dhe me vizion të qartë në dy shina paralele: Nga njëra anë të planifikojmë, nga ana tjetër të realizojmë.

Jo të planifikojmë dhe pastaj të realizojmë, por paralelisht të planifikojmë dhe të realizojmë.

..çështja e planifikimit është një çështje shumë e rëndësishme për vendin tonë, por nuk mund të shihet e shkëputur nga çështja e zhvillimit ekonomik e social.

 

Në 3 vjet punë të Atelier Albania, planifikimi ka zbritur në terren sipas nevojave dhe ambicjeve që ne kemi pasur, duke përfshirë jo vetëm nivelin qëndror por edhe atë lokal, për të arritur në çdo aktor publik apo privat. Nëpërmjet projekteve të ndryshme që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, ne kemi arritur të bashkojmë në një linjë bashkërendimi të gjitha burimet njerëzore të territorit, duke filluar nga planifikuesit e rinj, arkitektët e rinj si edhe profesionistët ndërkombëtarë.

“... çështja e planifikimit nuk mund të shihet e shkëputur nga ajo e zhvillimit ekonomik e social…”Qasja që ATELIER ALBANIA ofroi si pikënisje mund të themi se sot është kthyer në metodologji për shumë procese planifikuese që u ndërmorrën në tre vite.

“ Territori nuk është një pasuri e pafundme që ne të mund ta shpërdorojmë pa pushim, por është një pasuri e kufizuar mbi të cilën ne mund të krijojmë pasuri të reja, në rast se këtë pasuri të kufizuar dimë ta përdorim në një rrugë të re, me instrumente të rinj. Pa harruar asnjëherë se është në të njëjtën kohë, edhe rruga e rritjes së cilësisë së burimeve tona njerëzore, e kapitalit tonë njerëzor, pra, e arkitektëve, planifikuesve dhe të gjithë profesionistëve të tjerë të kësaj fushe, që kanë nevojë për të pasur shansin që të marrin pjesë në këtë proces, kur dalin nga dyert e universiteteve, apo kur kthehen në Shqipëri, pasi kanë bërë universitetin jashtë shtetit”.

Atelier Albania ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një urë komunikimi i të gjithë këtyre aktorëve me qëllimin e marrjes përsipër zhvillimin e integruar urban, ekonomik dhe social duke tejkaluar sfidat dhe problematikat e territorit. Nëpërmjet evidentimit dhe sjelljes në jetë të ideve inovative kemi arritur të sigurojmë një proces planifikimi të standarteve ndërkombëtare.

 ...zhvillimi i qëndrueshëm urban kërkon një qasje e kulturë të re në qëndrimin ndaj territorit. ATELIER ALBANIA ka luajtur e do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces transformues.

Në këto 3 vjet ne kemi organizuar:

3 Plane Kombëtare të miratuara në 2016-n, të cilat shënojnë dokumentat e para kombëtare për planifikimin e territorit. Këto plane janë përfunduar pas një pune gati dy vjeçare. “Plani i Përgjithshëm Kombëtar” shërben për të vendosur themelet për zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë territorit të Shqipërisë. 2 Planet e Integruara Ndërsektoriale të Bregdetit dhe i Zonës ekonomike Tiranë-Durrës shërbejnë për të krijuar një Shqipëri konkurruese me vendet e rajonit, një destinacion turistik dhe ekonomik. “Shqipëria 2030” është Vizioni i këtyre planeve  ku do të mbështetet zhvillimi i vendit në 15 vitet e ardhshme.

12 Konkurse Ndërkombëtare me aktorë planifikimi lokal dhe ndërkombëtar. Pikat e prekura të territorit nga këto konkurse fillojnë nga Tirana, duke vazhduar me autostradën Tiranë-Durrës, Beratin, Rivierën shqiptare, Gjirokastrën, Shkodrën etj. Pjesëmarrja e sudiove dhe cilësia e propozimeve ka qenë e lartë, duke sjellë risi në mendësinë e procesit të planifikimit të territorit. Juria vlerësuese ka qenë ndërkombëtare, me planifikues, urbanistë dhe arkitektë të huaj dhe vendas. Përfshirja e Aterier Albania nuk ka përfunduar me organizimin e konkursit, por ka vazhduar me organizimin e workshopeve dhe dëgjesave publike si edhe me monitorimin e përkthimit të projektit fitues në projekt teknik të zbatueshëm.

15 Leksione të hapura  me planifikues dhe arkitektë ndërkombëtarë. Takimet nuk janë mbajtur vetëm në formën e leksioneve, por janë parë më tepër si diskutime interaktive, duke u dhënë mundësinë arkitektëve dhe planifikuesve të rinj të përftojnë nga eksperiencat e profesionistëve të huaj, si edhe të ndajnë eksperiencat e tyre. Leksionet e mbajtura nuk janë kufizuar vetëm në fushën e planifikimit, por janë shpërhapur në arkitekturë, urbanistikë, dizajn, arkitekturën pejsazhistike, etj.

Akademi Verore  të organizuara nga Atelier Albania në bashkëpunim me profesionistë ndërkombëtarë. Skuadrat janë përbërë nga studentë të arkitekturës, planifikimit urban dhe dizenjimit urban. Synimi i akademive ka qenë nxitja e zonave me potenciale turistike drejt një zhvillimi të qëndrueshëm nëpërmjet ideve me kosto të ulët dhe rezultat të shpejtë. Nga ky program është lançuar botimi “Fermerë me pamje nga deti” i cili shqyrton gjendjen e turizmit në fshatrat e Rivierës.

Ekspozita Evoked dhe Ditar i një hapësire mbi planifikimin në Shqipëri. Ekspozita “Evoked” u organizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës me qëllim evidentimin e fenomenit të shpërhapjes të ndërtesave informale të gjeneruar në dy dekadat e fundit. Ekpozita “Ditar i një hapësire” u mbajt mbi historikun e planifikimit në territorin e Shqipërisë. Ekspozita qëndroi e hapur për 7 muaj dhe shërbeu gjithashtu si hapësirë ku mund të diskutohej dhe të zhvilloheshin aktivitete mbështetëse.

“Metabolizmi i Shqipërisë” është një botim i kryer në bashkëpunim me ekpertë të kontaktuar nga Ambasada Holandeze në Tiranë. Ky publikim, paraqet një pamje të integruar të planifikimit urban në Shqipëri dhe një mundësi të mirë për të gjitha bashkitë, të cilat janë në procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore. Nëpërmjet tij mund të njihet më mirë kompleksiteti i territoreve të njësive vendore, ku zhvillohet cikli i jetës.