10 Konkurse për Shqipërinë e territorit të planifikuar

E enjte, 4 May 2017

Çështja e planifikimit të territorit të Shqipërisë nuk shihet e shkëputur nga çështja e zhvillimit ekonomik e social. Për këtë arsye, dy vjet më parë Atelier Albania organizoi 10 konkurse ndërkombëtare me pjesëmarrje të arkitektëve shqiptarë e të huaj, të cilët bashkëpunuan e konkurruan mes tyre për shpalosjen e vizioneve më të mira, për tematika të rëndësishme të zhvillimit urban në Shqipëri.

Të tilla ishin: Konkursi për Vijën Bregdetare të Vlorës, për Rivierën e Duranën, për Ishullin e Osumit, për Qytetin Studenti e Parkun e Liqenit, për Kampusin e Drejtësisë e Kuartetin e Kulturës, për Baipasin e Gjirokastrës dhe Parkun e Besimit. U prodhuan ide, diskutime e debate, e çka vlen mbi të gjitha, prodhuan njohuri e qasje që mund të përdoren lokalisht nga aktorët përgjegjës, për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme territorin tonë të brishtë. Pas konkurseve, të gjitha idetë tanimë janë përmbledhur në disa botime, të cilat janë një bazë e mirë për të gjithë aktorët, lidhur me zhvilimin e zonave të ndryshme në vend.  Këto botime  vijnë si bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

ATELIER ALBANIA u krijua 3 vjet më parë,  falë ndihmës shumë të çmuar të Qeverisë Holandeze dhe personalisht të ish-ambasadorit, i cili në traditën më të mirë të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka qenë qysh në sekondën e parë i disponueshëm për të dhënë mbështetjen e domosdoshme që kjo atelie të lindë si pikë takimi. Si e tillë ajo i krijon mundësi gjithë aktorëve të rinj në këtë fushë, planifikuesve të rinj, arkitektëve të rinj, pra, gjithë burimeve njerëzore të vendit, që të zhvillohen duke u bërë pjesë e këtij procesi. Për këtë arsye është konceptuar si një hapësirë e pakufishme.