Ditar i një hapësire

E enjte, 21 April 2016

“Ditar i një hapësire” më shumë se sa një ekspozitë është udhëtim në kohë në hapësirën e quajtur Shqipëri. E çelur sot pasdite në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozita e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në vizionin për 15 vitet e ardhshme.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës mori pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, drejtues të agjencive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me MZHU dhe AKPT, ambasadorë, arkitektë, urbanistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ministrja Gjermeni e cilësoi si historik procesin e hartimit të tre planeve kombëtare, proces i cili bëhet për herë të parë në vendin tonë.

“Ministria e Zhvillimit Urban u krijua nga Kryeministri Rama për një përqasje të re për planifikimin urban, për të futur Shqipërinë në një fazë të re. Këtu janë ekspozuar edhe plane të hartuara shumë vite më parë, janë modele të ndërtuara me shumë profesionalizëm. Ndaj mendoj se kemi çfarë të mësojmë e të reflektojmë mbi të kaluarën. Puna e këtyre profesionistëve është një busull për të planifikuar më mirë”, tha mes të tjerash Ministrja Gjermeni.

Ekspozita “Ditar i një hapësire” zuri fill si një prezantim disamujor i vizionit Shqipëria 2030, vizion i cili bazohet mbi tre dokumenta strategjikë, të hartuar e konsultuar me publikun për disa muaj, e që pritet të miratohen brenda pak javësh në Këshillin e Ministriave dhe Këshillin Kombëtar të Territorit: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Zonën Ekonomike Tiranë – Durrës. Prezantimi disa mujor nuk mbeti vetëm i tillë, por, mori formën e një vendi ku rrëfehet për Shqipërinë, formimin e vendbanimeve të saj, thesaret që ajo mbart dhe për të cilat duhe të behemi të vetëdijshëm; ku rrëfehet për dëmet që i kemi shkaktuar territorit, por edhe për potencialet e tokës tonë.

Ekspozita prezantohet si një rrugëtim në kohë e në hapësirë, si një ditar ku është shkruar historia e territorit, ku flitet për të tashmen e projektohet vizioni i së ardhmes.  Në të komunikohet me imazhe dhe video, instalacion dhe model 3 dimensional, komunikon si nëpërmjet figurës ashtu edhe tingulllit.

Komunikimi realizohet edhe nëpërmjet objekteve të ndryshme të nxjerra nga arkivat, të cilat janë trajtuar edhe si vepra arti e që publikohen për herë të parë.  Përveçse përfaqësojnë territore,ngjarje apo vizione, këto objekte mbartin edhe vlera artizanale, veçanërisht harta e planeve të qyteteve  shqiptare të punuara me teknika që sot nuk praktikohen më. (siç janë: planet territoriale që nisin që prej vitit 1917 e deri në fund të viteve ’80, apo dhe lejet e para të ndërtimit në Tiranë, që datojnë vitin 1927).

Sipas drejtores së AKPT, Adelina Greca, ekspozita është ideuar edhe si një hapësirë diskutimi, informimi e ndërgjegjësimi, por edhe si pikë referimi sidomos për profesionistët dhe grupet e interesit. Gjatë muajve Prill – Tetor, kohë kur do të qëndrojë e hapur brenda ekspozitës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme me fokus njohjen me territorin shqiptar, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij.